Ukraina sulmon me dronë disa qytete të Rusisë – Moska: Rrëzuam 42 dronë për tre orë

Ukraina sulmon me dronë disa qytete të Rusisë – Moska: Rrëzuam 42 dronë për tre orë

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka raportuar se mbrojtja ajrore ka rrëzuar 42 dronë ukrainas brenda tre orëve, në një nga operacionet më të mëdha ajrore të ndërmarra kohët e fundit nga Ukraina në territorin rus.

Sipas njoftimit zyrtar, 37 nga këta dronë janë rrëzuar në rajonet që kufizohen me Ukrainën – Belgorod, Bryansk dhe Kursk. Sulme janë raportuar edhe në rajonet e Shën Petersburgut, Smolenskut dhe Voronezhit.

Guvernatori i Leningradit, Aleksandër Drozdenko, konfirmoi se dy dronë u rrëzuan në jug të Shën Petersburgut. Si pasojë, Aeroporti Ndërkombëtar i Pulkovos pezulloi përkohësisht operacionet, megjithëse nuk u raportuan dëme materiale apo të lënduar.

Edhe në Smolensk u rrëzuan tre dronë, ndërsa në Voronezh, autoritetet thanë se “disa dronë” u shkatërruan nga mbrojtja ajrore.

Ky është një tjetër zhvillim në kuadër të intensifikimit të sulmeve ukrainase me dronë, që tani po arrijnë edhe në thellësi të territorit rus. Një nga operacionet më të përfolura ishte “Rrjeta e Merimangës”, ku Ukraina goditi disa baza ajrore me bombardues strategjikë rusë muajin e kaluar.

Shpërndaje lajmin: