Trump kërkon marrëveshje armëpushimi 60-ditor mes Hamasit dhe Izraelit

Trump kërkon marrëveshje armëpushimi 60-ditor mes Hamasit dhe Izraelit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë thirrje Hamasit që të pranojë një marrëveshje armëpushimi 60-ditor me Izraelin, duke e cilësuar atë si një “propozim përfundimtar” për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump theksoi se kjo është një mundësi që nuk duhet humbur. “Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të bëhet më mirë – vetëm do të përkeqësohet”, shkroi ai.

Sipas Trumpit, Izraeli ka rënë dakord për kushtet e kësaj marrëveshjeje, ndërsa përfaqësues të Katarit dhe Egjiptit do t’ia dorëzojnë propozimin Hamasit.

Marrëveshja, që u formulua pas një takimi produktiv mes përfaqësuesve të Trumpit dhe zyrtarëve izraelitë në Uashington, përfshin edhe lirimin e gjysmës së pengjeve nga Hamasi në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe kthimin e mbetjeve mortore të viktimave.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se përfundimi i konfliktit është prioritet për presidentin dhe se komunikimi me udhëheqjen izraelite është i vazhdueshëm.

Trump ka njoftuar gjithashtu se do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu më 7 korrik në Shtëpinë e Bardhë, ku do të kërkojë një armëpushim të menjëhershëm.

Shpërndaje lajmin: