Trump paralajmëron bisedime me Kinën për të ardhmen e TikTok

Trump paralajmëron bisedime me Kinën për të ardhmen e TikTok

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka paralajmëruar se javën që vjen do të nisë bisedimet me autoritetet kineze lidhur me një marrëveshje të mundshme për TikTok.

Trump bëri të ditur se diskutimet mund të zhvillohen të hënën ose të martën dhe pritet të përfshijnë ose presidentin e Kinës, Xi Jinping, ose përfaqësues të tij.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për shitjen ose ristrukturimin e operacioneve të TikTok në SHBA, duke shtuar se kjo mbetet një nga çështjet kyçe në marrëdhëniet me Kinën.

Më herët ishte përcaktuar një afat për kompaninë kineze ByteDance për të hequr dorë nga asetet amerikane të TikTok, për të krijuar një strukturë të re nën kontroll amerikan.

Një marrëveshje e tillë ishte në përgatitje gjatë pranverës dhe parashihte që operacionet e TikTok në SHBA të kalonin në një kompani të re me seli amerikane dhe me pronësi shumicë amerikane, por procesi u pezullua përkohësisht për shkak të përshkallëzimit të tensioneve tregtare mes dy vendeve.

Shpërndaje lajmin: