Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Dardani të Ferizajt, ku një fëmijë 4-vjeçar ka humbur jetën pasi është goditur nga një veturë brenda oborrit të shtëpisë familjare.
Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, viktima është transportuar në ambulancën e fshatit Pozheran më 22 qershor rreth orës 18:35, ku mjeku kujdestar ka konstatuar se ai ishte pa shenja jete.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, konfirmoi se i dyshuari për aksidentin ka lidhje familjare me fëmijën dhe është shoqëruar menjëherë në stacionin policor.
Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të bërë ekzaminimet e nevojshme. Prokurori i Shtetit është njoftuar dhe ka urdhëruar nisjen e hetimeve nën dyshimin për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Ngasësi është ndaluar për 48 orë.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë brenda ambienteve të shtëpive, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë të vegjël.