Sulme të shpeshta nga arinjtë në Malësinë e Tetovës – Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente

Sulme të shpeshta nga arinjtë në Malësinë e Tetovës – Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente

Një grua 41-vjeçare nga fshati Siniçan i Tetovës është sulmuar nga një ari që kishte hyrë në oborrin e saj. Fatmirësisht, ajo ka shpëtuar me lëndime dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.

Banorët e fshatrave të Malësisë së Sharrit janë gjithnjë e më të shqetësuar për rritjen e rasteve të paraqitjes së arinjve në zonat e banuara. Përveç dëmeve që po shkaktojnë tek bagëtitë dhe bletët, tashmë janë regjistruar edhe sulme ndaj njerëzve, si rasti i fundit në Siniçan dhe më herët në fshatin Gajre, ku një baba me djalin e tij janë përballur me një incident të ngjashëm.

“Ky fenomen është shqetësues, pasi arinjtë jo vetëm që afrohen pranë shtëpive, por kanë shkaktuar edhe dëme materiale. Kërkojmë nga institucionet të marrin masa para se të jetë vonë,” deklaroi Rexhep Halili, kryetar i Bashkësisë Lokale në Gajre.

Parku Kombëtar “Mali Sharr” ka apeluar që banorët të mos i trembin apo dëmtojnë arinjtë, pasi janë specie të mbrojtura me ligj dhe shkeljet dënohen rëndë. Në rast dëmesh, kërkohet njoftimi brenda 24 orëve në polici dhe në Parkun Kombëtar.

Aktualisht, në zonën e Malit Sharr llogaritet të jenë aktivë qindra arinj, të cilët për shkak të mungesës së ushqimit dhe deponive të mbeturinave shpesh zbresin në fshatra. Përveç arinjve, banorët raportojnë edhe probleme me dhelprat, që janë në numër të madh dhe shkaktojnë dëme të konsiderueshme.

Shpërndaje lajmin: