Studenti i Fakultetit të Shkencave Organizative në Beograd, Matija Sabo Vojniq, u arrestua të dielën pas mesnate, gjatë një bllokade proteste, dhe u dërgua në stacionin e policisë.
Matija gjithashtu dëshmoi skenën e tmerrshme në Vozhdovc, kur disa makina policie u vërsulën mes qytetarëve. Pikërisht atëherë një xhandar iu hodh, e shtyu pas murit dhe e trajtoi sikur të ishte krimineli më i madh.

Në një intervistë për mediat serbe, ai rrëfen gjithçka që ndodhi atë natë dhe thekson se studentët nuk do të frikësohen nga arrestimet masive dhe brutale, duke thënë: “Unë jam një njeri i lirë – i lirë edhe në burg.”
Studentët dhe qytetarët e Vozhdovcit ndërmorën këtë veprim pas protestës së madhe të Vidovdanit më 28 qershor, si një formë e mosbindjes civile ndaj regjimit në Serbi, i cili nuk përmbushi kërkesat e studentëve.
Veprimi i parë konkret ishte bllokimi fizik i rrethrrotullimit në Sheshin e Lirisë, dhe mes tyre ishte edhe Matija, i cili u arrestua para agimit.
Matija tha se e priste një reagim nga policia, por nuk mendonte se brutaliteti do të ishte aq ekstrem. Ai përshkruan se si një inspektor i BIA-s i paralajmëroi për shpërndarje brenda pesë minutave, përndryshe do të ndërhynte policia.
Rreth orës pesë të mëngjesit, mbërriti një kordon policor i cili kërkoi shpërndarjen e turmës. Studentët filluan të tërhiqeshin në mënyrë paqësore, por policia i ndoqi deri në rrugën Vojvoda Stepa.
Më pas, u përfshinë edhe xhandarët. Disa makina policie ndezën sirenat dhe sulmuan drejtpërdrejt qytetarët.

Matija tregon se gjatë tentativës për t’u larguar, një xhandar e përplasi në mur dhe e rrëzoi përtokë, megjithëse nuk kishte rezistuar. Pas arrestimit, ai dhe të tjerët u rrahën, iu kontrolluan dokumentet dhe u shpërndanë nëpër stacione të ndryshme policore në qytet.
Ai përfundoi në stacionin e Novi Beogradit, ku qëndroi për katër orë, pa të drejtë për kontakt me avokat ose familje, derisa u lirua me paralajmërim për raport kundërvajtës.
“Nuk do të ndalemi. Liria jonë nuk është për shitje,” përfundon Matija.