SPAK në bashkëpunim me Prokurorinë e Veronës dhe Guardia di Finanza kanë goditur rrjetin kriminal të Suel Çelës, duke sekuestruar pasuri me vlerë mbi 4 milionë euro në Itali.
Hetimet e përbashkëta zbuluan se organizata e Çelës, e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës, kishte investuar në prona të paluajtshme, njësi tregtare dhe llogari bankare në Verona.
Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen dy ndërtesa (njëra me 30 njësi biznesi), një shoqëri ndërtimi dhe një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë. Paratë e dyshuara si të ardhura nga krimi përdoreshin për të blerë, rikonstruktuar apo marrë me qira këto prona në Itali.
Suel Çela është në kërkim ndërkombëtar, ndërsa vëllai i tij Mario Çela ndodhet në burg në Belgjikë për një vrasje mafioze në Antwerp. Operacioni është konsideruar si goditje ndaj pastrimit ndërkombëtar të parave të krimit.