Sabajet Shuti, 31 vjeç, i njohur me nofkën “Skilla” dhe anëtar i grupit të njohur shqiptar “Hellbanianz”, është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Londër për vrasjen e 27-vjeçarit Lumturi Zeqja. Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 tetor 2022 në Leytonstone, në lindje të Londrës.
Sipas autoriteteve britanike, Shuti sulmoi me thikë viktimën gjatë një përleshjeje të dhunshme pranë një kafeneje, duke e lënë atë të vdekur në vend. Edhe shoku i viktimës u plagos rëndë, por i mbijetoi falë një ndërhyrjeje të shpejtë kirurgjikale.
Në të njëjtën ngjarje u përfshi edhe vëllai i autorit, Emirlion Shuti, 30 vjeç, i njohur me pseudonimin “Mili HB”, i cili u shpall fajtor për përleshje dhe u dënua me 20 muaj burg, i konvertuar në shërbim prove.
Pas krimit, Sabajet Shuti u përpoq të largohej nga Mbretëria e Bashkuar duke ndryshuar pamjen e jashtme dhe duke kaluar në Francë. Ai u arrestua në Suedi në tetor të vitit 2023 dhe u ekstradua për t’u përballur me drejtësinë në Britani.
Hetimet e policisë britanike u mbështetën në pamje nga kamerat e sigurisë dhe të dhënat nga telefonat celularë, të cilat çuan në identifikimin dhe kapjen e autorëve. Vrasja e Zeqjas tronditi komunitetin shqiptar në Londër dhe solli në fokus sërish aktivitetin kriminal të grupeve të strukturuara si “Hellbanianz”.