Letra rrëqethëse e Shote Galicës para se të vdiste në varfëri

Letra rrëqethëse e Shote Galicës para se të vdiste në varfëri

Shote Galica, një nga heroinat më të mëdha të kombit shqiptar dhe bashkëshortja e prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës, Azem Galica, e përfundoi jetën në varfëri të skajshme dhe në harresë.

Në 98-vjetorin e ndarjes nga jeta, rikujtohet një letër rrëqethëse që ajo i kishte dërguar Ahmet Zogut, ku dëshmonte gjendjen e rëndë në të cilën jetonte:

“Unë jam Shote Galica, gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Kam edhe katër fëmijë jetimë me vedi, janë fëmijët e luftarëve të vramë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrëngueme t’ju vnoj në dijeni se jam tuj vdekë unë bashkë me fëmijët jetim.”

Pavarësisht kësaj lutjeje, ndihma nuk mbërriti kurrë. Studiuesi Bedri Tahiri tregon se, për shkak të kushteve të rënda dhe të ftohtit, mjekët ishin detyruar t’i prisnin gishtat e dorës së djathtë.

Në përpjekje për të mbijetuar, Shote Galica ishte detyruar të shiste edhe kalin e saj – një dhuratë e veçantë nga Azem Galica, që për të kishte vlerë simbolike dhe ishte mjeti i fundit për të siguruar jetesën.

Pas plagëve të marra në luftë, Shote Galica ishte strehuar fillimisht në fshatin Shullaz, e më pas në Derven të Fushë-Krujës, ku jetoi në një shtëpi të vogël përdhese dhe në kushte të mjerueshme.

Në vitin 1927, në moshën 31-vjeçare, ajo ndërroi jetë në varfëri dhe braktisje të plotë, në Fushë-Krujë, aty ku edhe sot prehet.

Kjo histori e dhimbshme rikujton sakrificat e jashtëzakonshme të Shote Galicës për lirinë e Kosovës, ndërsa fundi i saj mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen historike të kombit.

Shpërndaje lajmin: