Manifestimet për festën e Vidovdanit, të mbajtura këtë të shtunë në Gazimestan dhe Graçanicë, përfunduan pa incidente madhore, njofton Policia e Kosovës. Sipas autoriteteve, masat e shtuara të sigurisë kontribuuan në mbarëvajtjen e aktivitetit dhe ruajtjen e rendit publik.
Policia konfirmoi se përveç disa rasteve të izoluara me sjellje provokuese, manifestimet kaluan qetësisht. Në njoftimin zyrtar theksohet se janë ndërmarrë masa parandaluese dhe operacionale në të gjitha rajonet për të garantuar sigurinë gjatë ngjarjes.
Gjatë manifestimeve janë shoqëruar në stacion policor 17 persona, për shkak të sjelljeve provokuese, përfshirë nxitje të urrejtjes dhe veshje me përmbajtje që bien ndesh me ligjet në fuqi. Ndër ta:
- Një person është ndaluar për armëmbajtje pa leje;
- Një tjetër është gjobitur për kundërvajtje;
- Katër persona janë liruar pas intervistimit;
- Ndërsa 11 të tjerë janë ende në procedurë hetimore.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe garanton vazhdim të angazhimit për ruajtjen e rendit dhe ofrimin e një ambienti të sigurt për të gjithë, pa dallim.