Deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për ish-krerët e PDK-së, kanë ngjallur reagime të forta. Ai tha se “disa drejtues të PDK-së duhet të shkojnë në Hagë për të marrë instruksione politike”, duke aluduar në procesin gjyqësor kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Këto komente u kritikuan ashpër nga opinionisti Dardan Sejdiu, i cili e cilësoi këtë sjellje si të papërgjegjshme.
“Sjellja e Kurtit në media vetëm ua rëndon betejën ligjore në Gjykatën Speciale atyre që po mbrojnë emrin e UÇK-së”, tha Sejdiu në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Ai akuzoi Kurtin se nuk po sillet si lider shteti dhe nuk po i kupton pasojat e deklarimeve të tij në një moment kritik për vendin.
“Nuk jemi duke bërë hajgare me këtë vend! Ai nuk po e di as çfarë po flet, as çfarë po bën”, shtoi Sejdiu.
Reagimet vijnë në një kohë të ndjeshme për Kosovën, kur procesi në Hagë ndaj Thaçit e Veselit është në një fazë të rëndësishme.