Numri i përgjithshëm i nxënësve dhe studentëve në Kosovë ka pësuar rënie të ndjeshme gjatë vitit shkollor 2024/2025, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.
Ndërsa regjistrimet në çerdhe janë rritur, niveli i pjesëmarrjes në arsimin fillor, të mesëm dhe universitar ka shënuar rënie. Në institucionet parashkollore janë regjistruar 34,038 fëmijë, me një rritje të përqindjes në sektorin privat nga 26.6% në 31.4%.
Në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët janë regjistruar 208,515 nxënës – rreth 7,000 më pak se një vit më parë. Edhe në shkollat e mesme të larta shënohet ulje, me gjithsej 63,551 nxënës. Numri i studentëve ka rënë në 64,817, mbi 5,000 më pak krahasuar me vitin e kaluar.
Ekspertët e arsimit paralajmërojnë se kjo është pasojë e uljes së natalitetit dhe mungesës së reformave strukturore. Sipas Xhevat Rexhajt, “Kosova po përjeton një krizë të heshtur arsimore që mund të thellohet nëse nuk merren masa urgjente”.
Ndërkohë, eksperti Rinor Qehaja thekson se rënia e interesit për universitetet nuk është domosdoshmërisht negative, pasi shumë të rinj po orientojnë karrierën në shkolla profesionale dhe trajnime praktike.
Për ekspertët, rikthimi i besimit te arsimi publik dhe përshtatja e tij me kërkesat e tregut të punës janë thelbësore për të ndalur këtë rënie.