Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka lëshuar një ultimatum të prerë ndaj bizneseve që kanë zënë hapësira publike në Lungomaren e Vlorës. Përmes një postimi në platformën X, Rama kërkoi që brenda 48 orëve të lirohen trotuaret dhe hapësirat e bllokuara në mënyrë të paligjshme.
Shefi i qeverisë kritikoi fenomenin e të ashtuquajturave “pergolata”, struktura të vendosura nga subjektet private që sipas tij, tejkalojnë projektin urbanistik të Lungomares dhe cenojnë të drejtat e qytetarëve për qasje të lirë në hapësirat publike.
“Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuaret e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve e të betonarmeve, duke i tërhequr njëkohësisht ‘pergolatat’ në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares”, shkroi Rama.
Ai akuzoi institucionet vendore për tolerim ndër vite, duke theksuar se nuk do të ketë më asnjë tolerancë nga dita e hënë, kur pritet të nisin veprimet për largimin e strukturave të paligjshme.