Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit bujqësor, ku theksoi nevojën për një qasje të re dhe një plan të përbashkët për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në vend.
Gjatë diskutimit, Rama u ndal te sfidat që fermerët hasin në përditshmëri, duke vënë theksin te mungesa e koordinimit midis qeverisë, pushtetit vendor dhe vetë komunitetit rural.
Ai tha se është e nevojshme një formë e re bashkëpunimi për të ndërtuar modele funksionale që sjellin zhvillim real dhe efikas në fshat.
Sipas tij, bashkitë shpesh e shohin fshatin vetëm në funksion të shërbimeve urbane si ndriçimi dhe pastrimi, duke anashkaluar dimensionin zhvillimor dhe ekonomik të bujqësisë.
Kryeministri deklaroi se do të ketë përpjekje për të institucionalizuar këtë lloj bashkëbisedimi, me qëllim që zëri i fermerëve të dëgjohet dhe të përfshihet në vendimmarrje.