Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, reagoi duke e quajtur “të pajustifikueshëm” sulmin ndaj Iranit gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Megjithatë, ai nuk ofroi asnjë formë mbështetjeje të drejtpërdrejtë ushtarake për aleatin tradicional të Moskës në Lindjen e Mesme.
Përkundër lidhjeve të forta me Teheranin, Kremlini u tregua i kujdesshëm në qëndrimin e tij publik, sidomos pasi Shtetet e Bashkuara goditën objektet bërthamore iraniane.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, shprehu keqardhje për përshkallëzimin e tensioneve në rajon, duke theksuar se Rusia dënon aktet që çojnë në destabilizim, por sërish pa përmendur drejtpërdrejt SHBA-në si autor të sulmit.
Putin po përpiqet të pozicionohet si ndërmjetës mes Izraelit dhe Iranit, rol që është refuzuar më parë nga presidenti amerikan Donald Trump. Nga ana tjetër, Irani vazhdon të theksojë të drejtën për vetëmbrojtje.
Sipas analistëve, zhgënjimi ndaj Rusisë po rritet në qarqet politike dhe publike iraniane, pasi mungesa e mbështetjes konkrete shihet si braktisje nga një aleat i vjetër. Ekspertët thonë se Rusia nuk ka as vullnetin, as interesin aktual për të përfshirë më tej në konflikt, duke ruajtur balancën me SHBA-të.
Megjithëse më herët ishte nënshkruar një marrëveshje strategjike mes dy vendeve, Moska ka lënë të kuptohet se ajo nuk nënkupton mbrojtje të ndërsjellë.
Putin tha se Rusia do të ofrojë ndihmë për popullin iranian, por nuk dha detaje. Ndërkohë, Peskov shtoi se çdo mbështetje varet nga kërkesat e Teheranit.