Forcat e policisë në Beograd kanë pasur përleshje me protestuesit në lagjen Vraçar, në kuadër të protestave masive kundër presidentit Aleksandar Vuçiq. Incidenti ndodhi gjatë natës, kur policia tentoi të shpërndajë turmën që kishte bllokuar rrugët me kontejnerë, duke kërkuar lirimin e të arrestuarve dhe dorëheqjen e qeverisë.
Protestat, që tashmë po vazhdojnë për katër ditë, janë zhvilluar në Beograd, Novi Sad, Nish dhe Kragujevc. Studentët, të rinjtë dhe qytetarë të tjerë kanë bllokuar kryqëzime dhe kanë vendosur pengesa rrugore për të kundërshtuar pushtetin.
Shkaku i protestave është pakënaqësia ndaj Vuçiqit për manipulim zgjedhor, represion politik dhe arrestime të aktivistëve gjatë protestave të 28 qershorit. Organizatorët kanë bërë thirrje për mosbindje civile, ndërsa kërkesat për zgjedhje të parakohshme parlamentare, lirimin e të arrestuarve dhe ndalimin e dhunës shtetërore po përshkallëzohen.