Çmimet në qytetin turistik të Ohrit këtë verë kanë arritur nivele të pazakonta, duke shqetësuar si qytetarët vendas, ashtu edhe turistët. Një kafe në zonat afër Liqenit të Ohrit kushton nga 120 deri në 180 denarë (mbi 3 euro), ndërsa çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm. Një picë mund të kushtojë deri në 8 euro, një top akullore nga 70 deri në 120 denarë, dhe një birrë vendore nga 150 deri në 250 denarë.
Një drekë për tre persona në restorante mesatare kap shifrën prej 2000 denarësh e më lart, në varësi të lokacionit. Ndërkohë, zëvendësministri i Ekonomisë, Marjan Ristevski, deklaroi se ekzistojnë mekanizma për ndërhyrje në raste abuzimesh, por theksoi se në tregun e lirë çmimet nuk përcaktohen nga shteti.
“Çdo manipulim me çmime apo mashtrim i konsumatorëve është i dënueshëm me ligj”, njofton Ministria e Ekonomisë.
Turistët ankohen se me këto çmime, Ohri po i largon vizitorët. Disa prej tyre deklarojnë se po e shmangin qëndrimin në lokale dhe blejnë ushqime në markete, për të përballuar kostot. Ka edhe nga ata që krahasojnë Ohrin me destinacione ndërkombëtare, duke theksuar se çmimet janë të krahasueshme me ato të Greqisë apo Turqisë.
Përkundër Ohrit, në Pogradec – në anën tjetër të liqenit – turistët raportojnë çmime më të përballueshme dhe mikpritje më të mirë. “Për 10 euro ke një drekë të plotë me peshk, sallatë dhe verë për dy persona,” tha një pushues.
Sipas operatorëve turistikë, disa agjenci nga Holanda dhe Polonia tashmë kanë anuluar ofertat për shkak të çmimeve të larta dhe mungesës së interesit.