Turqi: Luani ikën nga kopshti zoologjik, sulmon një burrë në gjumë

Turqi: Luani ikën nga kopshti zoologjik, sulmon një burrë në gjumë

Një incident i pazakontë ka ndodhur në Manavgat të Turqisë jugore, ku një luan ka arritur të dalë nga një kopsht zoologjik dhe ka sulmuar një burrë, duke e plagosur rëndë.

Sipas autoriteteve lokale, luani i njohur me emrin “Zeus” ishte arratisur nga kopshti zoologjik “Lion Land”, një atraksion i njohur në bregdetin mesdhetar. Disa orë pas arratisjes, kafsha e egër ka sulmuar një 53-vjeçar që po flinte jashtë në një zonë fushore, pasi kishte ujitur tokën e tij me fistikë.

Viktima, Suleiman Kir, është dërguar në spital me plagë në kokë, shpatulla dhe këmbë. Ai ka treguar se është përpjekur të mbrohet duke u përleshur me luanin, i cili më pas është larguar nga vendngjarja.

Forcat e policisë, të cilat po kërkonin kafshën e arratisur, dëgjuan zhurmën e sulmit dhe ndërhynë menjëherë. Pas disa orësh kërkimi me ndihmën e dronëve, luani u lokalizua në një zonë pyjore pranë dhe u neutralizua nga autoritetet.

Kopshti zoologjik ku ndodhi ngjarja njihet për koleksionin e madh të luanëve dhe kafshëve të tjera të egra, si tigra, arinj dhe ujqër. Ende nuk është bërë e ditur se si luani arriti të dalë jashtë ambienteve të mbyllura, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim.

Shpërndaje lajmin: