Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se do të shqyrtojë të gjitha licencat e dhëna për kompanitë që merren me përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Ky vendim vjen pas dyshimeve për shpërdorime, ku sasi të konsiderueshme kanabisi në vend që të përdoren për trajtime mjekësore, kanë përfunduar në tregun e zi. Një nga rastet më të fundit ishte sekuestrimi i mbi 100 kilogramëve kanabis në Strumicë.
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se shumë shpejt do të bëhen publike të gjitha emrat e ministrave dhe kompanive që kanë marrë licenca për këtë aktivitet. Ai theksoi se licencat janë lëshuar nga ministra të disa partive politike që përbënin qeverinë e kaluar.
“Opinioni do të mësojë se si janë dhënë licencat dhe kush qëndron pas tyre, përfshirë edhe emrat e ministrave të partive të ndryshme që kanë qenë pjesë e qeverisë paraprake,” deklaroi Mickoski.
Në këtë sektor janë përfshirë si shtetas të huaj, ashtu edhe vendas. Deri më tani, në nivel shteti kanë funksionuar rreth 100 kompani që përpunonin kanabisin për qëllime mjekësore, kryesisht në rajonet e Pellagonisë, Vardarit, Juglindjes dhe Pollogut.
Megjithëse disa prej këtyre kompanive janë mbyllur apo u janë sekuestruar licencat për shkak të abuzimeve, ligji aktual u mundëson rikthimin e tyre në kushte të caktuara. Një pjesë e industrisë ka mbetur pezull pas refuzimit të ndryshimeve ligjore që do t’u lejonin eksportin dhe përpunimin e kanabisit të thatë.