Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se është i përkushtuar për ta çuar përpara procesin e konstituimit të legjislaturës së re para afatit kushtetues, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe konsultimeve ndërpartiake.
Pas një takimi mbi dy orë me presidenten Vjosa Osmani, Kurti tha se në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, synohet që legjislatura e nëntë të konstituohet deri në fund të korrikut.
“Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive të arrihet konsensus për zgjidhjen e ngërçit parlamentar dhe formimin e qeverisë së re që i përgjigjet Kuvendit”, theksoi Kurti për media.
Ai shtoi se progresi i vërtetë do të vlerësohet pas takimeve të tjera që presidentja Osmani pritet të zhvillojë me krerët e partive tjera politike.
“Besoj se duhet t’i japim shansin edhe takimeve të tjera dhe në fund të shohim se cili është progresi”, u shpreh Kurti.
Presidentja Osmani pritet që të mërkurën të zhvillojë takime me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, në kuadër të përpjekjeve për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.