Kurti: S’kemi garanci për 61 vota, por votimi i fshehtë duhet provuar

Kurti: S’kemi garanci për 61 vota, por votimi i fshehtë duhet provuar

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pranuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka siguri se do të arrijë 61 vota në Kuvendin e Kosovës përmes votimit të fshehtë, por theksoi se kjo formë e votimit duhet të provohet si alternativë për zgjidhjen e bllokadës institucionale.

Duke folur në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Kurti u shpreh se edhe pse votimi i hapur nuk ka sjellë rezultat, është e domosdoshme që të shqyrtohet opsioni i votimit të fshehtë, bazuar në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Së pari, garanci nuk ka, nuk dimë me siguri që i kemi 61 vota, por duhet ta bëjmë votimin e hapur dhe nuk është mirë të paragjykojmë. E kërkuam zgjidhjen me votimin e hapur, por nuk u arrit. Le ta kërkojmë zgjidhjen me votimin e fshehtë,” tha Kurti.

Ai kujtoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i cili, sipas tij, lë hapësirë për forma të ndryshme të votimit, përfshirë edhe atë të fshehtë.

“Besoj se është gabim dhe dëm nëse nuk e provojmë, sepse Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e vitit 2014 ka thënë se të gjithë duhet të jenë në sallë, të votojnë për, kundër apo abstenim, dhe se votimi mund të jetë i hapur, i fshehtë apo në mënyra të tjera. Pra, e provuam votimin e hapur, nuk pati sukses, le ta provojmë edhe votimin e fshehtë,” përfundoi Kurti.

Shpërndaje lajmin: