Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 249-vjetorin e Pavarësisë, duke theksuar mirënjohjen e Kosovës për partneritetin me SHBA-në dhe duke shprehur dëshirën për një aleancë të përhershme mes dy shteteve.
Në një deklaratë publike, Kurti theksoi rëndësinë e idealeve të Deklaratës së Pavarësisë së vitit 1776, si liria, barazia dhe demokracia, duke thënë se ato mbeten po aq të rëndësishme edhe sot, në një kohë sfiduese për sigurinë ndërkombëtare.
“Jemi mirënjohës për miqësinë dhe krenarë për bashkëpunimin dhe partneritetin ndërmjet Republikës sonë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbrojtjen e po atyre idealeve,” theksoi ai.
Kurti përmendi gjithashtu bashkëpunimin në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së, mbështetjen për Ukrainën dhe strehimin e refugjatëve në Kosovë si shembuj të bashkërendimit të suksesshëm mes dy vendeve.
“Qoftë e përhershme aleanca e dy shteteve tona dhe miqësia e ngushtë e popujve tanë,” përfundoi ai.