Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj një kërcënimi që sipas autoriteteve vjen nga Serbia, duke e cilësuar atë si pjesë të një lufte hibride të vazhdueshme ndaj vendit.
Përmes një deklarate në rrjete sociale, Kurti përgëzoi institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional lidhur me rastin, ndërsa theksoi nevojën për vigjilencë dhe bashkëpunim ndërinstitucional.
“Sipas konfirmimeve, kërcënimi ka origjinën në Serbi, çka dëshmon edhe një herë luftën hibride që po zhvillon shteti serb ndaj Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Kurti theksoi se kjo formë e sulmeve jo-konvencionale është një realitet i përhershëm dhe kërkon përgjigje të koordinuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse të sigurisë.