Në seancën e saj të fundit si deputete në Kuvend, Monika Kryemadhi hodhi akuza të rënda ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushit, duke e akuzuar për manipulim të Ilir Metës dhe izolim të tij nga bashkëpunëtorët dhe familja.
Nga ambientet e jashtme të parlamentit, Kryemadhi deklaroi se Blushi ka ndikuar negativisht në rrethin politik dhe personal të Metës, ndërsa e akuzoi për prishjen e raporteve me këshilltarët dhe themeluesit e partisë.
“Tedi Blushi mori çfarë kishte për të marrë. Ia largoi të gjithë këshilltarët kur Meta ishte President, ia largoi nga partia kontribuuesit dhe themeluesit. Deputet u bë, nga shtëpia e largoi Metën, takimet e fëmijëve ia djeg në burg. Nuk e di çfarë kërkon më,” – u shpreh Kryemadhi.
Ajo e akuzoi gjithashtu Blushin për ndërhyrje në komunikimet e Metës me familjarët gjatë kohës që ndodhet në paraburgim, duke thënë se Blushi ka qenë i vetmi që e ka takuar në qeli, ndërsa fëmijëve u është pamundësuar kontakti me të.
Kryemadhi nuk kurseu kritikat as për SPAK dhe institucionet e drejtësisë, duke i cilësuar veprimet e tyre si pjesë e një procesi të motivuar politikisht, të udhëhequr sipas saj nga Yuri Kim dhe Aleksandër Soros.
“Arrestimi i Metës është një burgosje politike për të justifikuar fondet e USAID. Ky është një proces i orkestruar për linçim publik dhe manipulim,” shtoi ajo.
E pyetur nëse i vjen keq që Tedi Blushi do ta zëvendësojë në Kuvend, Kryemadhi tha se nuk ndjen keqardhje, pasi tashmë po fokusohet në fusha të reja, më të dobishme për shoqërinë.