Tre ton kokainë kapen në Ekuador, autoritetet: I përkiste mafias shqiptare

Tre ton kokainë kapen në Ekuador, autoritetet: I përkiste mafias shqiptare

Autoritetet në Ekuador kanë njoftuar për një tjetër goditje të rëndësishme kundër mafias shqiptare, duke sekuestruar tre ton kokainë gjatë një operacioni të përbashkët të policisë dhe ushtrisë në një fermë në zonën Chongón, afër Guayaquil.

Droga u gjet mëngjesin e së enjtes, më 3 korrik 2025, e fshehur në një fermë bagëtish, e cila dyshohet se ishte përdorur si kompani fasadë nga grupet kriminale shqiptare që veprojnë në rajon. Kokaina ishte vendosur në pako drejtkëndëshe, e pjesërisht e ngarkuar në një kamion që transportonte banane.

“U identifikua një pronë që vepronte nën maskën e një ferme bagëtish. Brenda ishte një kamion që përmbante kuti me banane dhe u gjet substanca e bardhë,” deklaroi koloneli Víctor Hugo Ordóñez.

Pas bastisjes së pronës, autoritetet arrestuan pesë persona, të cilët dyshohet se janë pjesë e një organizate ndërkombëtare droge të lidhur me mafian shqiptare. Kamioni i sekuestruar u transferua për hetime në stacionin policor të Guayaquil.

Hetimet zbulojnë lidhje me Dritan Gjikën

Ky aksion vjen pak javë pas arrestimit të të shumëkërkuarit Dritan Gjika në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai dyshohet se ka qenë organizatori kryesor i trafikut ndërkombëtar të drogës nga Ekuadori drejt Evropës, përmes porteve të Guayaquil.

Hetimet e mëparshme, përfshirë rastin “Pampa” në vitin 2024, kishin zbuluar skema të sofistikuara të kontrabandës, ku droga shpesh fshihej brenda kontejnerëve të mbushur me fruta tropikale dhe eksportohej përmes rrugëve detare drejt Evropës.

Shpërndaje lajmin: