Si të mbroheni nga vala e të nxehtit: Këshillat kryesore nga IKSHPK

Si të mbroheni nga vala e të nxehtit: Këshillat kryesore nga IKSHPK

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka publikuar një sërë rekomandimesh për të ndihmuar qytetarët të mbrohen nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin ditëve të fundit.

Sipas IKSHPK-së, temperaturat ekstreme, sidomos gjatë periudhave të gjata me nxehtësi intensive ditën dhe natën, rrisin rrezikun për probleme serioze shëndetësore. Grupet më të rrezikuara përfshijnë të moshuarit, personat me sëmundje kronike (si diabeti, sëmundjet e zemrës dhe astma), si dhe ata që punojnë jashtë.

Këshillat e IKSHPK për mbrojtje nga nxehtësia:

  • Qëndroni larg ekspozimit direkt në diell, veçanërisht nga ora 11:00 deri në 17:00.
  • Kaloni disa orë në ambiente të freskëta, të mbyllura dhe të ajrosura mirë.
  • Mbuloni dritaret me perde ose material që bllokon rrezet e diellit.
  • Shmangni pajisjet që prodhojnë nxehtësi në ambientet e brendshme.
  • Veshni rroba të lehta, pambuku dhe ngjyra të hapura.
  • Pini shumë ujë, shmangni pijet me kafeinë ose alkool.
  • Përdorni krem mbrojtës ndaj diellit nëse keni nevojë të dilni jashtë.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parashikon temperatura që do të arrijnë deri në 33°C në ditët në vijim. Qytetarët këshillohen të qëndrojnë të informuar dhe të tregojnë kujdes të veçantë ndaj shenjave të mbinxehjes si lodhja, dhimbja e kokës, marramendja apo vjelljet.

Solidariteti shoqëror është i domosdoshëm – IKSHPK apelon që të kujdesemi edhe për familjarët, fqinjët dhe personat në nevojë gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta.

Shpërndaje lajmin: