Kërcënim me bombë në Kuvendin e Kosovës, ndërpritet seanca

Kërcënim me bombë në Kuvendin e Kosovës, ndërpritet seanca

Paraditen e 5 korrikut, Kuvendi i Kosovës është evakuuar pas një kërcënimi për mjet shpërthyes në ndërtesën shtetërore. Deputetët, përfaqësuesit e mediave dhe të gjithë të pranishmit u larguan me urgjencë nga ambientet e brendshme, për shkak të alarmit të ngritur nga Policia e Kosovës.

Skuadrat anti-bombë kanë kryer kontrolle të detajuara brenda dhe jashtë objektit. Policia konfirmoi zyrtarisht se është pranuar një kërcënim me bombë dhe se veprimet janë ndërmarrë në përputhje me protokollet e sigurisë.

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Arben Loshi, informoi se, pas verifikimeve, kryesuesi Avni Dehari vendosi që seanca e ndërprerë në orën 11:00 të mbahet në ora 20:00. Të gjithë të pranishmit u urdhëruan të qëndrojnë jashtë ndërtesës së Kuvendit, të paktën 50 metra larg.

Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, tha se kërcënimi është marrë me seriozitet, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që të jetë alarm i rremë.

Seanca e planifikuar për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit është përpjekja e 42-të që nga 15 prilli për ta konstituuar legjislaturën e re. Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova ende nuk ka institucione të reja. Mungesa e pajtimit ndërmjet partive, veçanërisht rreth kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ka bërë që konstituimi të dështojë vazhdimisht.

Shpërndaje lajmin: