Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur më 4 korrik 2025, rreth orës 15:26, në kryqëzimin e rrugëve “Boris Kidriq” dhe “Mirko Mileski” në Kërçovë. Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme, aksidenti ka ndodhur mes një veture “Audi” me targa të Kërçovës, e drejtuar nga A.E. (22) nga fshati Strellc, dhe një motoçiklete “Hamachi” të drejtuar nga një i ri 17-vjeçar nga Kërçova.
Motoçiklisti pësoi lëndime të rënda trupore dhe u transportua me urgjencë drejt klinikës “Nëna Terezë” në Shkup, por, fatkeqësisht, ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Vdekja e të miturit u konfirmua nga mjekët e Ndihmës së Shpejtë.
Në vendin e ngjarjes intervenuan njësitë policore dhe një prokuror publik, i cili urdhëroi autopsinë e trupit të viktimës. Hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit janë duke vazhduar.