Ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi se bllokimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës është rezultat i mungesës së vullnetit politik nga opozita.
Pas dështimit të 36-të me radhë për mbajtjen e seancës konstituive, Haxhiu tha se Vetëvendosje ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm — përfshirë ftesat për dialog me partitë opozitare — por që këto janë refuzuar.
“Situata mbetet e njëjtë. Ne kemi qenë të gatshëm që të japim kontributin tonë për të përmbyllur këtë proces. Por mungon vullneti i deputetëve të opozitës,” theksoi Haxhiu.
Ajo shtoi se pritet edhe një aktgjykim nga Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së paraqitur nga AAK dhe disa deputetë të LDK-së dhe PDK-së.
Sipas saj, Vetëvendosje ka ofruar zgjidhje përmes ftesave nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, drejtuar PDK-së dhe LDK-së për dialog. Megjithatë, këto ftesa nuk kanë gjetur gatishmëri nga partitë opozitare.
“Gjithçka që ka qenë në dorën tonë, si në raport me procedurat parlamentare ashtu edhe me komunikimin politik, është kryer. Por kontributi i vetëm i Vetëvendosje është i pamjaftueshëm për të arritur konstituimin e Kuvendit,” shtoi Haxhiu.
Në përfundim, ajo kërkoi përgjegjësi nga secili deputet, duke paralajmëruar se po shkelet Kushtetuta me bllokimin aktual institucional.