Haradinaj: Kurti po e çon Kosovën drejt një krize më të thellë

Haradinaj: Kurti po e çon Kosovën drejt një krize më të thellë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për, siç tha ai, thellim të krizës institucionale dhe mungesë vullneti për zgjidhje politike.

Pas dështimit të radhës të seancës së Kuvendit për konstituim, Haradinaj deklaroi se Kurti “e ka ndarë mendjen ta bëjë keq e më keq” dhe se po vepron në kundërshtim me interesin e vendit.

“Ky e ka nda mendjen me bë më keq Kosovën, është problem me këtë njeri. Nuk kam pse me u taku, sepse ai po bën lojë,” tha Haradinaj për media.

Ai kritikoi Kurtin edhe për refuzimin e dialogut institucional, duke përmendur një rast ku, sipas tij, Kurti kishte kërkuar një konsultë para seancës, por më pas nuk kishte marrë pjesë në të, ndonëse ndodhej në sallën e Kuvendit.

“Ne ishim në seancë, ai kërkoi një konsultë para seancës, por qëndroi në sallë dhe nuk erdhi. Aty shihet se nuk ka qëllim për zgjidhje – por vetëm me bë më keq e më keq,” shtoi ai.

Duke u ndalur te vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, Haradinaj tha se votimi i hapur është rruga kushtetuese për të dalë nga bllokada politike, por akuzoi Vetëvendosjen se po e refuzon këtë zgjidhje.

“Gjykata ua dha mundësinë të kthehen në votim të hapur, por ata nuk e respektojnë këtë. Ne propozuam që të kthehemi në kushtetutshmëri, por ata po e mbajnë procesin të bllokuar,” përfundoi Haradinaj.

Shpërndaje lajmin: