Haradinaj: Pa lirimin e Spahiut, s’ka kuptim dialogu me Serbinë

Haradinaj: Pa lirimin e Spahiut, s’ka kuptim dialogu me Serbinë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj arrestimit të qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, në Serbi, duke e cilësuar si akt politik dhe një formë kidnapimi nga ana e regjimit serb.

Haradinaj theksoi se qytetari kosovar po mbahet tash e një muaj në paraburgim mbi akuza absurde, duke e interpretuar këtë si një veprim të papranueshëm dhe provokues nga autoritetet serbe.

“Arrestimi politik i qytetarit të Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu, mbi akuza absurde tash e një muaj, është dëshmi e qartë se Serbia vazhdon të operojë me mendësinë e vjetër. Ky arrestim përbën një kidnapim të mirëfilltë nga shteti serb, më saktësisht nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit,” u shpreh ai.

Deputeti i AAK-së kërkoi që asnjë takim bilateral me Serbinë të mos zhvillohet pa lirimin e pakushtëzuar të Spahiut. Ai theksoi se sjellja e Beogradit dëshmon për një shtet që ende drejtohet nga mendësi autoritare.

“Serbia po sillet si një shtet i vetë-kapur nga kasta e vjetër që vazhdon të shkelë çdo të drejtë njerëzore dhe çdo normë ndërkombëtare,” tha Haradinaj.

Ai u bëri thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të reagojnë ndaj këtij rasti dhe të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të qytetarit të Kosovës.

Shpërndaje lajmin: