Bundestagu gjerman ka miratuar vendimin për të zgjatur edhe për një vit tjetër qëndrimin e trupave gjermane në Kosovë, si pjesë e misionit të KFOR-it.
Më 26 qershor 2025, me 391 vota pro, 189 kundër dhe vetëm dy abstenime, u aprovua zgjatja e mandatit të Bundeswehr-it për 12 muaj të tjerë. Vendimi përforcon praninë e Gjermanisë në rajon në kuadër të përpjekjeve për stabilitet dhe siguri.
Deri në 400 ushtare dhe ushtarë gjermanë do të mund të angazhohen në Kosovë, për të kontribuar në ruajtjen e rendit publik, mbështetjen e ndërtimit të një shteti demokratik dhe multietnik, si dhe përkrahjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një strukturë moderne, në funksion të integrimeve euroatlantike.
Zgjerimi i pranisë ushtarake vjen pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës dhe largimit të trupave austriake, duke e rikthyer fokusin e Berlinit në rajon. Në prill të vitit 2024, Gjermania kishte dislokuar një kompani shtesë, ndërsa tashmë forcat mund të rriten deri në 400 ushtarë.
Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Gjermania ka qenë ndër kontribuesit më të mëdhenj të KFOR-it, me deri në 6,000 trupa. Numri u reduktua me kalimin e viteve, duke zbritur në rreth 80 trupa në fund të vitit 2022.
Kostoja e misionit për vitin e ardhshëm është llogaritur në rreth 38.9 milionë euro.