FBI dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) të Shteteve të Bashkuara kanë paralajmëruar se kërcënimi nga sulmet kibernetike të mbështetura nga Irani vazhdon të jetë aktiv, pavarësisht armëpushimeve të fundit në rajon.
Sipas agjencive amerikane, grupet e hakerëve të lidhur me Teheranin mund të synojnë infrastrukturën kritike, përfshirë rrjetin e energjisë elektrike, sistemet e transportit dhe sektorin ekonomik.
Në shënjestër të mundshme janë gjithashtu kompanitë amerikane të prodhimit të armëve, teknologjisë së mbrojtjes, si dhe ato që kanë lidhje me Izraelin.
FBI dhe NSA njoftuan se grupet iraniane kanë historik të tentativave për të ndërhyrë në sisteme jetike, duke paralajmëruar se kërcënimi mbetet serioz. Ata publikuan edhe një listë rekomandimesh për përforcimin e mbrojtjes kibernetike, si:
- Përditësimi i rregullt i softuerëve,
- Përdorimi i menaxhuesve të sigurt të fjalëkalimeve,
- Implementimi i sistemeve të avancuara të sigurisë.
Në të kaluarën, pas disa sulmeve kibernetike të SHBA-së ndaj infrastrukturës iraniane, grupet e hakerëve iranianë kishin synuar banka amerikane, kompani të energjisë dhe industri të mbrojtjes. Megjithatë, ato nuk kishin shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Sipas FBI-së dhe NSA-së, këto tentativa mund të intensifikohen dhe kërkohet vigjilencë e shtuar nga sektori publik dhe ai privat.