Erdoğan: Politikat e Izraelit po kërcënojnë paqen në rajon

Erdoğan: Politikat e Izraelit po kërcënojnë paqen në rajon

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka kritikuar ashpër politikat e Izraelit gjatë fjalimit të tij në “Samitin e 17-të të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik”, i cili po mbahet në Azerbajxhan.

Erdoğan deklaroi se veprimet agresive të Izraelit, veçanërisht nën qeverisjen aktuale të Benjamin Netanyahut, përbëjnë një rrezik serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Politikat agresive të Izraelit, të përshpejtuara nën administratën aktuale, kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë. Ne nuk mund ta braktisim kauzën palestineze dhe as të heshtim ndërsa administrata Netanyahu e kthen rajonin tonë në një masakër,” tha Erdoğan.

Ai gjithashtu vuri theksin në çështjet klimatike dhe ekologjike, duke theksuar angazhimet e Turqisë për reduktimin e emetimeve të karbonit në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për Efiçiencën e Energjisë 2024–2030.

“Parashikojmë një ulje prej 100 milionë tonë emetimesh CO2. Projekti ‘Zero Mbetje’ na ka ndihmuar të shmangim rreth 6 milionë ton emetime gazrash serrë,” deklaroi ai.

Në fjalën e tij, presidenti turk theksoi edhe mbështetjen për popullin afgan:

“Ne besojmë se duhet ta mbështesim sigurinë, paqen dhe zhvillimin e popullit afgan në Afganistan.”

Shpërndaje lajmin: