Qytetarët e Maqedonisë së Veriut paguajnë më shumë për kartonin e gjelbër në krahasim me vendet fqinje, ku ai përfshihet automatikisht në polisën bazë të sigurimit të automjetit. Në Serbi, Bullgari dhe Greqi, shoferët e marrin këtë karton bashkë me regjistrimin e makinës, ndërsa në Maqedoni paguhet veçmas.
Shoferët ankohen për çmimin e lartë dhe kërkojnë që ai të përfshihet në regjistrimin bazë të automjeteve, duke e konsideruar të papërballueshëm për standardin ekonomik të vendit.
Ministria e Financave ka konfirmuar se është në proces të analizimit të çështjes dhe se po shqyrtohen hapa konkretë për ndryshim të modelit aktual. Draft-udhërrëfyesi i përgatitur në kuadër të CEFTA-s synon lehtësimin e lëvizjes së lirë në rajon dhe përfshin propozime që do t’i prezantohen Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia për Mbikëqyrjen e Kompanive të Sigurimit, gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025 janë lëshuar mbi 100,000 kontrata për kartonin e gjelbër me vlerë totale 535.1 milionë denarë. Në të njëjtën periudhë janë paguar dëme prej 56.7 milionë denarë për rreth 590 aksidente. Për vitin 2024, janë regjistruar mbi 274,000 kontrata me vlerë 1.3 miliardë denarë dhe janë paguar 449.2 milionë denarë në dëmshpërblime.
Kartoni i gjelbër mbulon dëmet materiale dhe jomateriale për shoferët që udhëtojnë jashtë vendit dhe shkaktojnë aksidente, duke garantuar kompensim për palët e treta nga kompanitë e sigurimit në Maqedoni.