ASH: VLEN po mban premtimet vetëm ndaj industrisë së bixhozit

ASH: VLEN po mban premtimet vetëm ndaj industrisë së bixhozit

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar ashpër ndaj projektligjit të ri për lojërat e fatit që, sipas tyre, po përgatitet në fshehtësi nga Qeveria dhe koalicioni VLEN. Sipas ASH-së, projektligji nuk parashikon asnjë masë reale për mbylljen apo kufizimin e kazinove dhe basteve sportive, përkundër premtimeve elektorale të bëra më parë nga VLEN.

ASH akuzon se me këtë ligj, jo vetëm që nuk do të ndalohet funksionimi i basteve pranë shkollave apo zonave të banuara, por shteti do të përfitojë drejtpërdrejt financiarisht, duke e kthyer veten në “ortak” të industrisë së bixhozit përmes rritjes së tatimeve dhe licencave.

“Qytetarët po shohin përditë shtim të pikave të basteve dhe kazinove, e jo mbyllje të tyre. Kjo është në kundërshtim të plotë me atë që u premtua para zgjedhjeve,” thuhet në reagimin e ASH-së.

Partia opozitare akuzon drejtpërdrejt ministrin e Ekologjisë, Izet Mexhiti, për heshtje ndaj shkatërrimit të pyjeve nga kompania “Sportlife”, pronë e një emri të njohur të industrisë së bixhozit, Gjoko Sterjoski. Po ashtu, ASH kritikon emërimin e Ahmet Miftarit – bashkëpunëtor i afërt i Mexhitit – në Bordin e Lotarisë Shtetërore, duke e cilësuar si “kontrabandim politik në shërbim të kazinove”.

ASH ngre dyshime mbi burimet e financimit të fushatës së VLEN-it, duke pyetur nëse janë përfshirë kompani të industrisë së lojërave të fatit. Partia kërkon transparencë të plotë për përmbajtjen e projektligjit dhe hapje të debatit publik për të ndaluar përhapjen e basteve në afërsi të shkollave dhe lagjeve të banuara.

“Qeveria dhe VLEN kishin mundësinë të sjellin ndryshimin, por zgjodhën të bëhen partnerë të kazinove,” përfundon reagimi i ASH-së.

Shpërndaje lajmin: