Një person është arrestuar në Shtime pasi u pa në një foto duke mbajtur një armë zjarri.
Policia njofton se të martën rreth orës 15:00, pas marrjes së informatave nga qytetarët, kanë ndërmarrë veprime operative ndaj një të dyshuari me banim në fshatin Reçak të Shtimes.
“Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme operative dhe me urdhër të prokurorit të shtetit është realizuar një kontroll në shtëpinë e të dyshuarit”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit, edhe pse nuk është gjetur arma e zjarrit që shfaqej në foto, policia ka sekuestruar dy uniforma ushtarake (kamuflazh), tre jelekë taktikë dhe disa pajisje të tjera.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Shtime, ku është intervistuar nga hetuesit. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.