Avokati i njohur Arianit Koci ka zhvilluar një protestë simbolike dhe të pazakontë para Kuvendit të Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë e tij ndaj bllokadës politike që ka paralizuar jetën institucionale në vend. Ai solli disa gomarë përpara Parlamentit, si mesazh ironik ndaj deputetëve që, sipas tij, kanë braktisur detyrimet kushtetuese.
Koci deklaroi se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar e mban Vetëvendosje, por fajin e ndajnë edhe partitë e tjera që nuk po veprojnë.
“45 deputetë munguan në seancë. Shumicën prej tyre i pashë në bregdetin e Shqipërisë. Ndërkohë shteti është në bllokadë, populli në pritje dhe askush nuk mban përgjegjësi”, tha Koci para mediave.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ai paralajmëroi protestën e tij të qetë dhe simbolike, duke ironizuar klasën politike:
“Do të kem një mbështetje të veçantë nga aleatë… të heshtur, por domethënës. Protesta është paqësore, por mesazhi është i fortë: nuk mund të na shndërrojnë në turmë të heshtur.”
Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e mediave vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa komentet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta dhe të ndara. Disa e kanë përshëndetur guximin dhe kreativitetin e Kocit, ndërsa të tjerë kanë kritikuar mënyrën e përzgjedhur për të shprehur revoltën politike.