249 vite pavarësi: Amerikanët festojnë 4 Korrikun mes fishekzjarrëve dhe solemnitetit kombëtar

249 vite pavarësi: Amerikanët festojnë 4 Korrikun mes fishekzjarrëve dhe solemnitetit kombëtar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës festuan sot 249-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar. Më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental miratoi Deklaratën e Pavarësisë, me të cilën trembëdhjetë kolonitë shpallën ndarjen nga sundimi britanik dhe krijimin e një shteti të ri – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo ditë simbolike, e njohur si Dita e Pavarësisë, përkujtohet çdo vit me festa familjare, sfilata, shfaqje fishekzjarrësh dhe aktivitete patriotike në mbarë vendin. 4 Korriku është një nga datat më të rëndësishme për amerikanët, e cila përfaqëson lindjen e një kombi të ndërtuar mbi idealet e lirisë, barazisë dhe demokracisë.

Festa në të gjithë vendin

Në qytete dhe komunitete të ndryshme, organizohen aktivitete të mëdha kulturore dhe argëtuese, ndërsa forcat e rendit janë të angazhuara për të garantuar sigurinë e festimeve. Njerëzit mbledhen për grilla familjare, parada patriotike dhe shfaqje madhështore fishekzjarrësh që ndriçojnë qiellin amerikan.

Çfarë ndodhi më 4 korrik 1776?

Në të vërtetë, Kongresi Kontinental votoi për pavarësi më 2 korrik 1776, por Deklarata e Pavarësisë u miratua dhe shpall zyrtarisht më 4 korrik, datë që u bë simbol i lirisë amerikane. Dokumenti historik, i hartuar kryesisht nga Thomas Jefferson, argumentonte të drejtën për ndarje dhe vetëqeverisje nga Britania.

Trashëgimia e pavarësisë

Pasi u shpall pavarësia, më 1787 u miratua Kushtetuta amerikane, e cila vendosi strukturën e qeverisë me tri degë: ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore – një bazë që ruhet ende sot. 4 Korriku është më shumë se një ditë feste: është një reflektim i rrugës së gjatë që SHBA ka ndjekur në ndërtimin e një shteti modern dhe demokratik.

Një ditë më parë, John Adams kishte parashikuar me saktësi rëndësinë e kësaj date, duke i shkruar gruas së tij, Abigail:

“2 korriku 1776 do të jetë epoka më e paharrueshme në historinë e Amerikës… Duhet të përkujtohet me pompë, parada, fishekzjarrë, zjarre dhe ndriçime – nga kjo kohë e përjetë.”

Shpërndaje lajmin: