Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se do të tërhiqet nga kandidatura për kryetare të Kuvendit nëse nuk siguron të paktën 61 vota përmes votimit të fshehtë.
Haxhiu theksoi se ky ka qenë fillimisht një qëndrim personal, por që ka marrë mbështetje nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti.
Ajo u shpreh se konstituimi i Kuvendit është dashur të ndodhë që më 15 prill, në seancën e parë. Megjithatë, ky proces ka dështuar për herë të dyzetë, për shkak të mungesës së kuorumit për formimin e komisionit që mundëson votimin e fshehtë.
“Vetëm një herë do të votohet për mua me votim të fshehtë. Nëse nuk i marr 61 vota nga deputetët e Kuvendit, unë tërhiqem nga kandidatura,” tha Haxhiu.
Ajo kritikoi opozitën duke theksuar se deputetët nuk po votojnë as pro, as kundër, as nuk po abstenojnë, gjë që po pengon konstituimin e Kuvendit.
Haxhiu bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e gatshme të marrë pjesë në takimet e radhës të thirrura nga presidentja Vjosa Osmani apo edhe nga kryeministri Kurti. Megjithatë, sipas saj, deri më tani nuk kanë marrë një ftesë të re nga presidentja.
Ajo rikujtoi gjithashtu se sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga seanca e parë.