Një aksident tragjik është regjistruar mbrëmjen e djeshme në rrugën “Leninova” në Shkup, ku një këmbësor ka humbur jetën pasi u godit nga një motoçikletë.
Sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, aksidenti ndodhi rreth orës 19:30 në një vendkalim për këmbësorë. Motoçikleta e markës “Kawasaki”, me targa të Shkupit, përplasi këmbësorin J.N., 68 vjeç, banor i Shkupit. Pas përplasjes, drejtuesi i motoçikletës është larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë, bashkudhëtari i motoçikletës, H.I., 26 vjeç, ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe është trajtuar në Kompleksin e klinikave “Nëna Terezë” dhe në Spitalin e përgjithshëm “Shën Naum i Ohrit”.
Fatkeqësisht, këmbësori nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë në spital.
Autoritetet policore kanë kryer ekspertizën në vendngjarje dhe po punojnë për identifikimin e drejtuesit të motoçikletës dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.