Disa nga personat e dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë, tashmë janë shfaqur në qendër të Beogradit duke ofruar siguri personale për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pamje të publikuara nga opozita dhe shoqëria civile në Serbi, të xhiruara gjatë protestave të 28 qershorit, tregojnë se persona të identifikuar më herët si pjesëmarrës në sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës, ndodheshin pranë ndërtesës së Presidencës serbe, të pajisur me radio-lidhje dhe veshje operacionale.
Milorad Jevtiq (alias Micko), i njohur si figurë kyçe e organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”, është parë i maskuar si punonjës i Kryqit të Kuq. Letërnjoftimi i tij ishte sekuestruar nga Policia e Kosovës pas sulmit të Banjskës, ndërsa një automjet i përfshirë në ngjarje ishte i regjistruar në emrin e tij.
Zarko Cvetkoviq, bashkëpunëtor i afërt i Milun Milenković “Lune”, i vrarë gjatë përplasjes në Banjskë, po ashtu u identifikua në protestë, i veshur si pjesëtar i një njësie kërkim-shpëtimi dhe me pajisje komunikimi në dorë.
Ndërkohë, Vladimir Vuçetiq dhe Vukashin Jarediq, i fundit vëllai i Ugljesha Jarediq (një tjetër emër i lidhur me strukturat paramilitare në veri të Kosovës), ishin të pranishëm në perimetrin e Presidencës gjatë protestës.
Të gjithë këta individë janë nën hetim dhe aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepra të rënda si terrorizëm, vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste.
Pavarësisht kësaj, sipas opozitës serbe, ata tani shërbejnë si pjesë e strukturës joformale të sigurisë personale të presidentit Vuçiq – fakt që ka shkaktuar shqetësime serioze për lidhjet e mundshme të kreut të shtetit me grupet e armatosura ilegale që veprojnë në Kosovën Veriore.
Kujtojmë se më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb sulmoi një njësi të Policisë së Kosovës në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Ngjarja tronditi opinionin ndërkombëtar dhe u dënua gjerësisht.
Protestat e fundit në Serbi, të mbajtura më 28 qershor, përfunduan me përleshje të ashpra. Sipas ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, 77 persona u ndaluan dhe 48 policë u plagosën.